DANISH JUKNIU (1934 – 2003)

0
5538

Piktorët shkodranë përmes penelit të tyre

Referencë për artin grafik shkodran.

Piktura është njëra nga gjinitë e artit figurativ që ka patur dhe ka lulëzimin e vet në Shkodër. Përgjatë pjacës dhe rreth saj gjen disa studio grafike të piktorëve shkodranë, ku ekspozohet puna e tyre dhe ku mund të blini pikturat e tyre.

I është dhënë dje lamtumira e fundit Piktorit të Popullit, Danish Jukniu.
Në homazhe merrnin pjesë miq e artistë të shumtë.
Gazeta Shekulli, 05.02.2003


Lamtumira e fundit e piktorit guximtar

Portret i piktorit DANISH JUKNIUJakup Keraj, portret Danish Juniku

Dje piktori Danish Jukniu ka marrë lamtumirën e fundit nga miqtë e tij artistë dhe të afërmit që e përcollën deri në banesën e fundit. I ndodhur prej vitesh i sëmurë dhe i paralizuar Jukniu është shuar në mbrëmjen e së hënës në banesën e tij në lagjen “Vasil Shanto “ në Shkodër. Në ceremoninë e djeshme shumë prej tyre kanë kujtuar kohët e hershme, kur Jukniu kërkonte me ngulm të dilte kundra rrymës. Sipas tyre, vetë frymëzimi i tij ishte kundra rrymës. Ishte një frymëzim që zinte vend çuditshëm në telajot e tij. Tendencat e guximshme, ngrinin krye sa në një portret, në një kompozim, apo natyrë të qetë.

E këto kujtime i kanë zënë vendin njëri-tjetrit, më shumë se kurrë dje në ato dy orë homazhe të zhvilluara në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, nga ora 11:00 deri në orën 13 nga ku Jukniu është përcjellë për në banesën e fundit në Sharrë. Veç miqve të tij piktorë e skulptorë, si dhe studentëve të nxjerrë nga dora e tij, për t’i dhënë lamtumirën e fundit piktorit të njohur kanë ardhur edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe sporteve, Arta Dade dhe personalitete të tjera të artit e politikës. Piktori Sali Shijaku e ka quajtur Jukniun, si një ndër të vetmit artistë guximtarë, që nuk e fshihnin dot guximin në veprat tyre.

“Ai quhej si modernisti i asaj kohe. Prandaj ekspozimi i veprave të tija në ekspozitat tona ishin ngjarje Ato shiheshin me kureshtje të madhe, por edhe me dyshim të madh dhe herë pas herë nga kritika zyrtare, sepse gjithmonë sillte diçka moderne, të veçantë e të guximshme” – thotë Shijaku për piktorin e njohur Danish Jukniun. Sipas tij, Jukniu dukej ndoshta shumë i qetë si natyre, “por ishte më i guximshmi nga të gjithë ne përsa i përket problemeve stilistike. Veprat e Danishit shquheshin për një avancim, e për një tendencë për të dalë nga ajo e pranueshmja, për t’i kapërcyer kufijtë e realizmit të atëhershëm dhe për t’i dhënë më tepër frymëmarrje artit të asaj kohe”, – thotë Shijaku.

Ndërsa skulptori Muntaz Dhrami pohon se Jukniu ishte i pari që futi në shkollën tonë të artit figurativ gjinitë e reja të arteve të aplikuara. Ai ishte pedagogu i parë i tekstilit dhe brezat që nxori Danishi u bënë kuadrot e parë në punimin e qilimave, të tekstilit, në tezgjahun e Shkodrës, etj. Ai ishte një njeri shumë fisnik”,- thotë Dhrami, duke shtuar më tej keqardhjen për ndarjen e parakohshme të piktorit nga kjo jetë. “Ne që e kemi patur shok, e përjetojmë me dhimbje të madhe humbjen e tij por mendoj se humbja e Danishit është një humbje për gjithë artin tonë”,- thotë skulptori.

Jeta e një piktori të guximshëm

Danish Juniku, pikturë

Ai u lind më 19 qershor të vitit 1934 në nëj familje tregtarësh të vegjël, por me shpirt artdashës. Gjatë arsimimit të tij 7- vjeçar në Shkodër ai pati fatin të merrte mësime nga studiuesja e ikonografisë shqiptrae, skulptorja dhe piktorja ruse Viktori Puzanova. Me një edukim të tillë, ku ndërthureshin kultura e mirëfilltë akademikë e njohurive fillestare të artit figurativ europianolindor dhe me dashurinë e njerëzve të qytetit të Shkodrës për artin. Danish Jukniu, përfundoi liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, duke krijuar rreth vetes burime të domosdoshme për të qenë një artist i ardhshëm e i aftë.

Që në fillim u dallua talenti i tij dhe iu dha e drejta e ndjekjes së studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura në Krakov të Polonisë, ku përfundoi studimet në atelienë e performancave tekstile me prof. Fancissek Welerowfski-it. Studimet e tij në Poloni ishin një shans i dytë për artistin, që bënë të mundur krijimin e një piktori me ndiesi të theksuara drejt artit figurativ modern të kohës. Krijimtaria e tij e kësaj kohe, ishte një pasqyrim i ndryshëm dhe përballej me një formë disi të tejkalueshme nga nivelizimi i një arti socialist që formohej në Shqipëri. Studimet e tij në Poloni në një Shkollë arti me programe dhe vizione tërësisht perëndimore, i sollën artistit mbase ndonjë shqetësim në formën e paideologjizuar. Në vitin 1959 ai kthehet në Shqipëri dhe fillon punë si piktor dizajner në Kombinatin e tekstileve në Tiranë dhe pak më vonë pedagog i ateljesë së tekstilit në Institutin e Lartë të Arteve.

Si i pari specialist i kësaj fushe ai ka krijuar prodhime arti të mrekullueshme në gjininë e sexhades. Për realizimin e tyre ai skicoi qindra projekte të kërkuara nga instancat e larta shtetërore. I nderuar me titullin “Piktor i Popullit”, Jukniu ka realizuar edhe shumë vepra të tjera artistike, mes të cilave si më të fshehtat e të panjohurat deri në vitin 1990 ishin veprat intime. Ai merrte pjesë aktive në ekspozitat kombëtare e lokale të arteve figurative ku shquhen peisazhet, portretet e kompozimet e realizuara artistikisht, si “Elektrifikimi”, portreti i J. Kerajt etj. Ai nderohet me titujt: “Piktor i Merituar“ dhe “Piktor i Popullit”. Veçori e krijimeve artistike të Jukniut është eleganca dhe kultura e të pikturuarit, niveli i lartë cilësor. Ai nuk ka patur numër të madh krijimesh por nivel të lartë artistik. Danish Jukniu ka dhënë nje kontribut të madh në përgatitjen e brezave të piktorëve ku ishte shquar për aftësitë e tij pedagogjike për mendimin estetik të përparuar dhe për ndihmesën e pakursyer që u jeptë të rinjve.

Shfaqja e sëmundjes

Danish Juniku, vjeshta, pikturë

Pas viteve ’90 ai u vendos së bashku me familjen e tij në Shkodër, ku jetoi për disa vjet aty. Por shumë pak kohë pas këtij kthimi në qytetin e lindjes ai humbi të shoqen e tij, gjë kjo që i shkaktoi mjaft vuajtje. Pasi kishte dalë në pension aty nga mesi i vitit 2000, në fizikun e tij shfaqen shenjat e para të një sëmundjeje mjaft të rëndë. Me dhimbjet e saj ai jetoi mjaft kohë, derisa ndieu se fiziku i tij po rëndohej vërtet shumë nga dita në ditë. Edhe pse kurimet e tij u realizuan jashtë shtetit në Itali, dhe ai u mundua mjaft ta kundërshtonte këtë sëmundje, ajo e mundi, duke e detyruar të ndërronte jetë ditën e hënë me 3 shkurt 2003. Që nga viti 1997 gjendja e tij shëndetësore ishtë përkeqësuar pasi vuante nga një vatër infeksioni në fundin e shtyllë kurrizore, dhe ndërhyrja kirurgjikale e bërë në Itali, nuk pati sukses.

Ai mbeti i paralizuar duke u kujdesur për të disa të afërm, pasi Jukniut i pati vdekur më parë dhe bashkëshortja me kombësi polake, mjeke e njohur pediatre në Shkodër. Shokë e miq të tij tregojnë së ishte shumë i ndjeshëm dhe vdekja e bashkëshortes i shkaktoi një goditje të rëndë. Edhe në tetor 2002 kur vdiq “Piktori i Popullit” Ismail Lulani, Danishi u përkeqësua në shëndet kur mori njoftimin. Ai kohët e fundit u dobësua mjaft fizikisht si dhe moralisht nga kohëzgjatja e sëmundjes së tij. Të afërmit e tij, motra dhe dy vëllezër të cilët jetojnë në Tiranë, iu ndodhën pranë në momentet e fundit ndërsa miq e shokë kanë ardhur vazhdimisht dhe janë interesuar për shëndetin e tij. Të dielën pasdite ka qënë në Shkodër për ta parë dhe ish-studenti i tij, kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama.

Sali Shijaku: Ai i fshihte veprat intime në studion time

Danish Jukniu ishte dhe mbetet një nga piktorët më të shquar të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë për artin tonë. Në të gjithë krijimtarinë e tij ai sillte gjithmonë diçka të veçantë në artin tonë figurativ. Ai sillte pak dritë në artin e realizmit socialist të asaj kohe . Danishi bënte pjesë në atë grup piktorësh që angazhohej për veprat e veta. Ai kishte shumë vepra intime, të cilat i pati sjellë në studion time për t’i fshehur. Por më vonë, kur kohët ndryshuan, dhe nuk përbënin më rrezik ato vepra intime, ai erdhi dhe i tërhoqi. Për mua ka ikur avangarda e asaj kohe, por që me siguri ishte frymëzuesi edhe i avangardës së sotme, sepse janë vetë studentët e tij që përbëjnë avangardën e artit bashkëkohor.

Muntaz Dhrami: Jukniu, themeli i artit bashkëkohor

Ai është një emër i nderuar në artin shqiptar për veprën e tij e cila dallohet për një qartësi të madhe filozofike dhe vlera të rralla estetike. Piktura e tij është një ndër themelet e artit bashkëkohor shqiptar sepse ai solli në të një vlerë të konsiderueshme estetike, ai trajtoi me mjeshtëri kompozimin, portretin natyrën e qetë. Ato janë në fondin më të artë të galerisë së Arteve. Por vepra e Danish Jukniut, është në themelin e edukimit të një brezi të ri artistësh. Ai iku në një moshë relativisht të re, iku pas një vuajtjeje dhe lëngate të gjatë, dhe kjo humbje e tij sikur na rëndon edhe më tepër. Por jam i bindur se vepra e tij do të jetë në kujtesën e njerëzve, sepse vepra e tij është ngritur në emocionet e popullit.

Nga “Shekulli”, 5 shkurt 2003

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.