Bushatlinjtë e Shkodrës – një histori e veçantë

0
1282

Relevante:
Familjet e mëdha: Bushatlinjtë – nga Anila Dushi
Familjet e mëdha: Familja Çoba – nga Anila Dushi
Familjet e mëdha: Familja Gjylbegaj – nga Anila Dushi
Familjet e mëdha: Familja Boriçi – nga Anila Dushi

Në këtë shkrim prezantohen Bushatlinjtë e Shkodrës me fakte e dokumente. Së pari do të tregojmë dy episode, të botuara më parë në të përkohshmen “Albania” (1) nga z. Theodore Ippen (2), konsulli i përgjithshëm i Austrisë në Shkodër (në vitet 1897 – 1903).

I. DOKUMENT

Një mision nga Austria tek Pashai i Shkodrës në shekullin e XVIII

Nga fundi i shekullit XVIII, Mehmet Pashë Bushatlija, sundimtar i Vilajetit të Shkodrës, diti që t’ia siguronte familjarëve të vet të drejtën, që t’ua linte pashallëkun e tij si trashëgim. Ai vdiq në vitin 1770, i therur nga një jasakxhi (3), i cili, në bazë të një urdhri të Stambollit, kishte për detyrë që të ekzekutonte dënimin, që gjyqi kishte dhënë kundër pashait. Dhe kjo ndodhi për arsye se pashai nuk pati marrë pjesë në luftën kundër Rusisë (në vitet 1768 – 1774).


Pamje nga shkrimi, që është marrë nga “Hylli i Dritës”

Postin e tij e trashëgoi Mustafa Pasha, djali i madh i tij. Ky, në vitin 1777, mori urdhër që të shkojë në Móre për të shtypur myslimanët shqiptarë, të cilët nëpërkëmbnin të krishterët e vendit. Shqiptarët e Pashait të Shkodrës patën mundësi që të shuanin menjëherë sundimin e shqiptarëve në Móre, por Dera e Madhnueshme (4), duke patur frikë se ata mund të bëhen më të rrezikshëm, në vitin 1779 e helmoi Mustafa Pashën, nëpërmjet dy grave të haremit, që porta vetë ia pat falë. Përveç kësaj, porta autorizoi të krishterët që të sulmonin ushtarët e Pashait. Atëherë, sundimin e vilajetit të Shkodrës e mori i vëllai më i vogël, Mahmud Pasha. Ky është edhe heroi i episodeve që do të vijojnë.

Kuptohet qartë se, pas provave që kishte patur familja e tij, Mahmud Pasha nuk kishte besim tek Stambolli, prandaj kërkoi që të afronte për vete mbrojtjen e një prej pushteteve më të mëdha. Duke e ditur qëllimin e tij dhe duke dashur që ta ndëshkojë, porta dërgoi kundër tij një ushtri turke prej 60 000 vetësh, të cilës i printe Kara Zekí Pasha, sundimtar i Rumelisë, Sirri Selim Pasha, sundimtar i Bosnjes dhe Kapudan Pasha, mirrallaj i madh, që e rrethuan Shkodrën për trembëdhjetë javë (në fund të gushtit deri me 23 nëntor 1787).

Mahmud Pasha, i cili dinakërisht u pat marrë vesh me vezirin e Bosnjes dhe me mirrallajin e madh, i detyroi armiqtë që të tërhiqeshin. Veziri i Rumelisë u zmbraps keqas në Monastir dhe pashait, që do të vinte si zëvendës i Mahmudit dhe që kishte mbërritur bashkë me ushtrinë e tij deri në ledhet e Shkodrës, iu pré koka dhe iu soll Mahmudit si trofé. Atëherë, Mahmud Pasha me ndërmjetësinë e ministrit fuqiplotë të Rumelisë në Venedik, Aleksandër Mordinon, u drejtua nga Petersburgu, që ishte gati për ta mbrojtur, mjaft që të mos bënte tjetër veç marrëveshje me Vjenën.

Rusia në atë kohë, që prej gushtit 1787 gjendej në luftë me Turqinë. Austria edhe ajo që me 9 shkurt 1788 i kishte shpallë luftë Turqisë, si besëlidhur e Rusisë që ishte dhe i kishte premtuar ndihmë edhe Mahmud Pashës së Shkodrës. Pashai i bënte marrëveshjet me Perandorin Zefi II nëpërmjet ipeshkvit katolik të Shkodrës, imzot Borzit dhe të një mjeku të huaj që kishte ardhur në Shkodër dhe që quhej Franz Pichler. Mahmud Pasha i kërkonte të holla dhe municion Austrisë dhe i premtonte që të luftonte krah për krah me të.

Marrëdhëniet direkte me Pashain i kryente një mision ushtarak, të cilin në vitin 1788, qeveria e Austrisë e pati dërguar tek Vlladika i Malit të Zi, Peter Petroviç Niegush, që ta ndikonte edhe këtë për të sulmuar turqit. Kryetar i këtij misioni ishte komandanti Filip Vukasoviç. Anëtarë, kapiteni Ludovik Perneth, dhënësi i ndihmave Krmpotiç, aspiranti Vukasoviç dhe nënoficerët Karaçeviç, Krejviç, Uzelac dhe Tronkoviç.

Misioni në fillim u ndal në kuvendin e Stanjeviçit, paksa mbi limanin e vogël të Budvas, që në atë kohë i përkiste Venedikut. Më vonë shëtiti në të gjithë Malin e Zi, duke nxitur vendasit që të ngriheshin kundër turqve. Pikërisht ky mision ushtarak i Austrisë kishte hyrë në marrëveshje me Mahmud Pashën, por pasi nuk i besonte, misioni e këshillonte qeverinë e vet që të mos i çonte ndihmë Pashait, pasi ai nuk ishte njeri që mund t’i besohej. Krmpotiç, dhënësi i ndihmave, në prill të vitit 1788 u dërgua në Semlin, në komandën e përgjithshme të Perandorit, që të parashtronte situatën.

Megjithëkëtë, Ministria e Punëve të Jashtme vendosi që të vazhdonte marrëveshjet me Pashain e Shkodrës dhe Krmpotiç u kthye në Cetinë me 29 maj 1788 tek komandanti Vukasoviç. Më 14 qershor 1788 ia mbërriti në Cetinë edhe z. de Brogniard, i ngarkuari i veçantë, që ministria austriake dërgonte për t’u marrë vesh me Pashain e Shkodrës.

Pjesëtarët e misionit ushtarak, si dhe Vlladika i Malit të Zi, u munduan që t’ia mbushnin mendjen z. de Brogniard se me Mahmud Pashën nuk mund të bëheshin marrëveshje, pasi ai nuk u qëndronte fjalëve. Por më 14 qershor, z. de Brogniard bashkë me kapedanin Perneth, mjekun Pichler dhe me malazezët Ivan Gjurashkoviç, prift, dhe Ilija Vojvodiç, u nis për në Shkodër, duke lënë në Cetinë dhuratat që do t’i jepeshin Pashait.

Sapo mbërriti në Shkodër, z. de Brogniard ktheu përsëri në Cetinë kapedanin Perneth, Pichlerin dhe priftin Gjurashkoviç që të merrnin dhuratat dhe njëkohësisht t’i mbushnin mendjen edhe Vukasoviçit që të vinte në Shkodër; ai vetë, sipas dëshirës së Pashait do të rrinte në Shkodër, tek konsulli i Venedikut.

Komandanti Vukasoviç, gjithnjë duke mos patur besë tek Pashai, nuk pranoi që të vinte në Shkodër dhe të dërguarit e z. de Brogniard u kthyen vetëm me togerin Schönpflung. Me vete kishin gjëra të ndryshme, të çmueshme, dhe disa mijëra dukatë. Mahmud Pasha i pëlqeu këto dhurata me shprehje gëzimi e falënderimi dhe si bakshish i nisi Perandorit një pushkë të gjatë dhe dy pistoleta të veshura me argjend.

Ndërkohë, kapedani Perneth ia kishte arritur të merrte vesh se, Pashai donte me tradhti t’i vriste ata; prandaj i propozoi z. de Brogniard që të kërkonte audiencë me Pashain dhe të shfrytëzonin rastin për ta sharë të paktën, meqë ata të mbaruar ishin se ishin. Z. de Brogniard nuk e pranoi këtë mendim guximtar; kërkoi natyrisht që të takohej me Pashain, i cili e qetësoi atë se nuk kishte për t’i gjetur ndonjë e keqe dhe për më tepër i dha edhe një letër – sigurimi.

Me 21 qershor, z. de Brogniard, bashkë me shokët e tij (përveç priftit malazez), u larguan nga Shkodra duke lundruar me një barkë nga liqeni, të përcjellë nga disa zotërinj të qytetit, të cilët me një barkë tjetër i shkonin nga prapa mjaft afër barkës së tyre. Mahmud Pasha kishte dhënë urdhër që t’i ndiqte ata edhe me një barkë të tretë, në të cilën ndodheshin oficeri i tij Hasani, njeriu më i besueshëm i tij, Osman Agë Megjikuqi i Hotit, me dymbëdhjetë vetë të armatosur, të cilët kishin urdhër për t’i vrarë austriakët. Hasani dhe hotiani i ftuan të huajt për të dalë në breg, që të pushonin pak dhe të lagnin gojën me ndonjë pije. Sado që malazezi, Ilija Vojvodiç e kuptonte këtë ftesë si një pusi tradhtie, z. de Brogniard pranoi që t’i afrohej bregut dhe të ulej në tokë, në bregun perëndimor të liqenit, afër fshatit mysliman Muriq.

Osman Aga i dha dorën malazezit Vojvodiç dhe me tjetrën i jepte për të bërë duhan. Si e pengoi kështu në të dyja duart, kapadainjtë e Pashait i ranë me dy plumba pas shpine; me dy tjera përmbysën kapedanin Perneth dhe pesë herë e qëlluan togerin Schönpflung, i cili edhe pse me pesë plagë në trup, ia arriti të kapte një pushkë dhe me e vra njërin nga këto katilë. Z. de Brogniard e shqyen në grykë. U prenë të katër kokat e tyre dhe Mahmud Pasha ia dërgoi vezirit të Rumelisë, për t’i treguar atij se sa besnik ishte ai për çështjet e Turqisë. Trupat e tyre u ruajtën se mos shkonte ndokush nga fshatrat e krishtera për t’i varrosur. Mahmud Pasha i kërkoi Vlladikës së Malit të Zi edhe kokën e komandantit Vukasoviç, por ai nuk ia dha. Vukasoviçi, duke parë se as në Malin e Zi nuk mund të bëhej punë, u kthye në Austri, në shtator të vitit 1788.

Mahmud Pasha, për t’i hyrë në qejf Sulltanit, doli me ushtritë e tij në Bihaç, Bosnje, për të luftuar kundër armatës së Perandorit, e cila i kishte pushtuar ato vise. Sulltani kësaj here, me anë të një kapixhibashi, i dërgoi atij emërimin si Vezir.

(1) Revue d’Archéologie d’art et des sciences appliquées en Albanie et dans Balkans. N. II. Année MCMXXVII. – Ed. – Bestetti – Milano – Roma – A Paris, Chez Éd. Champion, 5 Quai Malaquais.
(2) Theodore Ippenn ka qenë konsulli i Perandorisë së Austro-Hungarisë në Shkodër, në vitet 1897 – 1903. Ka shkruar ndër tjera librin “Shqipëria e Epërme”. Ka qenë konsulent i Konferencës së ambasadorëve në Londër për vendosjen e kufinjve veriorë të shtetit shqiptar.
(3) Njëri prej djemve të rojës së tij
(4) Porta e Lartë

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT