Marin Barleti (1460-1513)

1
19536
Marin Barleti - allçi
[ Rrethimi i ShkodrësShkarko në PDF (168 faqe) ]
[ The Siege of ShkodraDownload in PDF (Eng, 320 pages) ]
[ Historia e SkënderbeutShkarko në PDF (508 faqe) ]
[ Historia de vita et Gestis Scanderbegi – Epirotarum principis, 1508 – Lat, 332 p. ]
Mund të dhuroni:

Marin Barleti, në kopertinën e bibliografisë Skënderbeu

Në bibliografinë I, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” gjejmë materiale të ndryshme që lidhen me Skënderbeun, dhe sidomos me librat e Marin Barletit, i cili është edhe historiani dhe kronisti më i saktë i figurës së heroit kombëtar të shqiptarëve. Vepra ‘Historia de vita et gestis Skanderbegi, epirotarvm principis (1508-10)’

(Historia për jetën dhe bëmat e Skënderbeut, princit të epirotëve) është përveç ‘Rrethimi i Shkodrës’ (De Obsidione Scodrensi, 1504) një prej veprave mbi të cilën janë referuar shpeshherë historianët. Lidhur me autorin, jetën dhe veprën e tij, nuk kemi mundur akoma të grumbullojmë materiale sinjifikative, por në pritje të një kompletimi të të dhënave për të, dhe citimit të veprave të tij, qoftë lidhur me veprën “Rrethimi i Shkodrës” apo vepra të tjera, po publikojmë këtu shkrimin “Skënderbeu” nga vëllimi “Historia e heronjve” të baronit danez Ludvig Holberg (1684-1754).

Ludvig Holberg kujtohet për veprat e tij komike e teatrale, por edhe si historian e filozof iluminist. Është një personalitet i letrave daneze, shkrimtar danez i lindur në Norvegji, në kohën kur Norvegjia i përkiste mbretërisë së Danimarkës. Ai e mbyll shkrimin e tij me fjalët: “Me një fjalë mund të thuhet: Skënderbeu ishte luftëtari, prijësi dhe njëkohësisht heroi më i madh në histori.”


[ Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ]

– nga Ludvig Holberg

[ Përshtati në shqip nga një danishte e vjetër gotike: Arben Çokaj ]

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, pikturë Dikur para pushtimit të Konstandinopolit dhe rënies së principatave lindore, qeveriste në Epir një prijës me emrin Gjon Kastrioti, i cili kishte katër djem, ku më i riu quhej Gjergj, heroi, jetën e të cilit do përshkruaj…

Kur Sulltan Murati turk pushtoi thuajse të gjitha vendet rreth Greqisë, iu desh edhe Gjon Kastriotit të nënshtrohej dhe të japë peng birin e tij Gjergjin së bashku me vëllezërit e tij. Murati i bëri ata synet sipas mënyrës turke dhe Gjergjit i dha menjëherë një emër tjetër, pikërisht Skënderbeg, që do të thotë Aleksandri i madh, ku tregohet, se çfarë përshtypjeje kishte krijuar ai për këtë epiriot të ri, dhe ai nuk gaboi. Pasi Gjergji mësoi në fëmijërinë e tij me një shpejtësi të admirueshme shkenca dhe gjuhë të ndryshme, çuditërisht turqisht, arabisht, greqisht, italisht dhe ilirisht; dhe kur erdhi pak më tepër në moshë la të kuptojë se s’kishte dëshirë më të vogël për të nxënë ushtrimet ushtarake, kështu që i dha Sulltanit sinjale të tilla dhe ai e bëri atë menjëherë Sanxhak, që ka vlerë thuajse të barabartë me një Pasha. Në moshën 19-vjeçare ai ndoqi luftën në Azi, dhe pas një kohe të shkurtër atij iu dha komanda e një ushtrie; nga ku ai provoi të tregonte një guxim e kurajo të tillë, saqë emri i tij u bë i njohur gjithkund.

Kur ai pas shumë fitoreve u kthye përsëri në Adrianopol, ku ishtë selia e Sulltanit turk, u bë një dyluftim krenarie nga një shqiptar, i cili për t’i lënë njerëzit të shihnin fuqinë dhe burrërinë e tij, sfidoi një nga njerëzit e Sulltanit. Por askush s’kishte dëshirë të kishte të bënte me këtë shqiptar të egër, përjashto Skënderbeun, i cili guxoi të shkonte, dhe me lehtësi fitoi në këtë beteje të madhe.

…(pas dezertimit të Skënderbeut dhe dështimit të osmanëve herë pas here)…

E gjithë bota po çuditej për fuqinë e Turqisë, që kaq shpesh e kishte tronditur Evropën dhe Azinë, të thyhej nga një provincë e vogël; një shembull i çuditshëm se si cilësitë dhe zotësitë e një njeriu, të një vendi të vetëm mund të bënin. Murati e vuri re tani se çfarë rëndësie kishte fakti që Skënderbeu ishte armiku i tij, ndaj dhe vendosi ta drejtonte luftën në një mënyrë tjetër, që s’e kishte bërë më parë, dhe krijoi idenë se në personin e Skënderbeut ai kishte të bënte me të gjithë krishtërimin dhe njëkohësisht Persinë, në mënyrë që të mos ishte vetëm e nevojshme të krijonte një ushtri të madhe, por edhe ta drejtonte atë vetë.

… Kur Skënderbeu ishte pranë vdekjes, shtrirë dhe me temperaturë të lartë, ndodhi një sulm i ri turk. U hodh përpjetë nga krevati dhe deshi të armatosej përsëri sipas zakonit, por pafuqia s’e la ta bënte diçka të tillë, prandaj dhe u shtri në krevat dhe vdiq pak kohë më pas. Mund të thuhet për këtë burrë, se ai ishte heroi më i madh, dhe askush, as në historinë e vjetër dhe as në atë të re nuk mund të krahasohet me të. Pasi asgjë nuk është më e çuditshme se sa të shohësh një princ të vogël me një grusht njerëzisht të drejtojë luftën kundër dy monarkëve, nga të cilët Persia, Egjipti dhe e gjithë Evropa u dridhën dhe u tmerruan. Ai i shkatërroi plotësisht 20 ushtri të fuqishme, vetë shumicën e komandantëve dhe luftëtarëve, që e sfiduan atë, me dorën e vet. Dhe shkruesit e kohës dëshmojnë, se në këto konflikte ai ka vrarë rreth 3000 vetë me shpatën e tij, gjë që është më shumë se ç’mund të thuhet për çdo njeri tjetër mbi tokë.

Zotësia dhe burrëria e tij u shoqërua nga mëshira dhe butësia. Ai kishte një zell të veçantë për besimin kristian dhe kjo duket nga të gjithe letrat e tij, se ai i dha vetes titullin: Gjergj Kastrioti, Luftëtari i Krishtit. Historia e tij është përshkruar nga shumë, por e përkryer është historia e një epirioti, Marin Barletit, në 13 vëllime, të cilët unë i kam ndjekur nga afër. I njëjti Barlet dëshmon se qëkur turqit e pushtuan atë qytet, ku ai ishte i varrosur, nxorrën eshtrat e tij nga varri e i ndanë copa-copa dhe i përdorën ato si relike të shenjta duke i varur rreth qafës e duke kujtuar se fati dhe bekimi do i ndiqte më pas. Mund të thuhet për këtë burrë:

Skënderbeu ishte luftëtari, prijësi dhe njëkohësisht heroi më i madh në histori.

[ Lexo shkrimin e plotë ]

Shënim: Të drejtat e kopjimit, përdorimit dhe publikimit të shkrimit historik “Skënderbeu”, përkthimi në shqip, i rezervohen përkthyesit: Arben Çokaj

Historiani i shquar Marin Barleti (1460-1513)

Marin Barleti - në allci nga A. Rada, 1982 Barleti është figura më e madhe e lëvizjes së humanistëve shqiptarë të shekujve XV-XVI. Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër. Fare i ri, më 1478, mori pjesë me armë në luftën për mbrojtjen e qytetit të lindjes nga rrethimi i forcave osmane. Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftrave për të mbrojtur atdheun “nga kujtimi i të cilit,- shkruan ai,- tani përtërihem si për mrekulli, por edhe për të cilin s’mund të shkruaj pa lot në sy”.

Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si shumë të tjerë, të mërgonte në Venedik me 1504. Por vepra që i dha emër Barletit në kulturën shqiptare dhe në botë ishte “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë, rreth viteve 1508-10. Kjo vepër në kohën e vet u ribotua latisht tri herë, u përkthye në shumë gjuhë evropiane dhe u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, që nga italishtja, spanjishtja, rusishtja, frengjishtja, greqishtja e deri në japonisht. F.S.Noli ka shkruar me të drejtë, se vepra e Barletit “fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë”.

Popullariteti i madh që gëzoi vepra shpjegohet me dy arsye: e para lidhet me subjektin që trajton, me figurën e Skënderbeut, e cila u bë e njohur dhe legjendare qysh në kohën e vet; e dyta qëndron në forcën dhe bukurinë e stilit me të cilin ajo është shkruar, një stil që të rrëmben.

Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut është, në rradhë të parë, një vepër historike, por e shkruar nga një dorë mjeshtri. Stili i gjallë dhe elegant me të cilin e ka shkruar Barleti, e bëjnë atë një vepër edhe me vlerë letrare. Këto vlera qëndrojnë në gjuhën e pasur dhe në figuracionin e pasur, në mjeshtërinë plastike të vizatimit të figurës së Skënderbeut, në frymën patetike dhe vrullin tronditës që përshkon tregimin, si dhe në bukurinë, gjerësine dhe lehtësinë e frazës.

Vepra e Barletit përshkruan historinë e luftrave heroike të shqiptarëve, të udhëhequr nga Skënderbeu, kundër hordhive osmane. Atë e përshkon nga fillimi në fund ndjenja atdhetare, krenaria e autorit për vetitë luftarake të popullit të vet, dashuria dhe adhurimi për heroin, që i dha emrin një epoke të tërë në historinë e popullit shqiptar.

Vlera më e çmuar që gjen Barleti te bashkatdhetarët e vet, është dashuria për lirinë, për trojet amtare, vendosmëria për të dhënë edhe jetën për mbrojtjen e tyre.

Nuk ka gjë më të çmuar për njeriun sesa atdheu, nuk ka detyrë më të shenjtë sesa lufta për ta mbrojtur atë nga i huaji. Kjo është një nga idetë e mëdha të veprës. Kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin asnjëherë nuk duhet kujtuar se është derdhur gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër, shkruan Barleti.

Duke folur për qëndresën e shqiptarëve gjatë shekullit XV, Barleti ka vënë në qendër të veprës së vet protagonistin dhe heroin e saj qendror Gjergj Kastriotin. Kjo figurë është vizatuar me dashuri e ngjyra të gjalla; ajo është dhënë me tiparet që ia njeh historia, pra gjithmonë në frymën e humanizmit e të konceptit humanist për njeriun dhe luftëtarin e lirisë.

Barleti e jep Skënderbeun si personifikim të heroit që mishëron forcën e njeriut, aftësinë dhe bukurinë fizike e morale të kësaj krijese të mrekullueshme, sipas botëkuptimit humanist. Figura e tij del madhështore, si një hero legjendar, simbol i çlirimtarit dhe i mbrojtësit të lirisë, prijës i një populli luftëtar e trim, të dashuruar deri në dhembje me trojet e veta dhe me lirinë.

Luftëtar i ashpër dhe prijës me një zemër të madhe njerëzore, madhështor dhe legjendar – e tillë të mbetet në mendje figura e heroit, skalitur si me daltë nga pena e Barletit.

Në veprën “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, autori mbron të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, himnizon njeriun dhe forcën e tij, heroizmin njerëzor dhe dashurinë e natyrshme për trojet e të parëve.

Duke qenë një vepër historike, libri i Barletit ka rëndësinë për të dhënat dhe faktet që sjell. Pa këtë vepër, historiografisë për Skënderbeun do t’i mungonin burimet e para, që e kanë ushqyer dhe vazhdojnë t’a ushqejnë edhe sot. Në disa raste, i rrëmbyer nga entuziazmi që i shkakton kujtimi i ngjarjeve heroike që përshkruan edhe urrejtja për pushtuesin, Barleti i zmadhon ngjarjet e‚ sidomos ndryshon shifrat e pjesëmarrësve në luftime. Por, prapëseprapë, në thelb dhe në frymën e saj të përgjithshme, vepra i përmbahet së vërtetës historike.

Me librin e tij, Marin Barleti qëndron në fillimet e letërsisë shqiptare, e cila e nis udhën e saj me një vepër të përmasave të mëdha. Kjo vepër është shkruar në latinisht, që asokohe ishte gjuha e kulturës në Evropë, por ajo i përket kulturës shqiptare, jo vetëm se është shkruar nga një shqiptar, por se është bota shqiptare që i ka dhënë jetë këtij argumenti madhështor të kulturës së hershme të këtij populli të lashtë.

përgatitur nga: Denis Zavalani


Kalesa enigmatike e Barletit: viti 1438

— nga Dr. Aurel Plasari

Marin Barleti - në allci nga A. Rada, 1982 E kam vënë re edhe një herë fjalinë problematike të Barletit, që Noli e ka quajtur “kalesë enigmatike” 1, lidhur me kthimin e Skënderbeut në zotërimet e t’et dhe vendosjen aty të sundimit të tij. Fjalia në origjinal është: “Millesimus his quandringentesimus quadrigesimus nonus a Christi Nativitete computabatur anus, undecimus autem a tempore, quo Scanderbegus obtinuerat imperium, pridie idus Majas” 2. Në shqipe duhet përkthyer: “I njëmijë e katërqind i dyzetenënti që nga lindja e Krishtit ishte viti, dhe i njëmbëdhjeti qysh kur Skënderbeu kishte vendosur sundimin e vet, në Idat e Majit [14 maj]”. Çfarë do të thotë Barleti me këtë fjali, mos vallë që Skënderbeu nuk paskësh kthyer në Arbëri duke ikur nga beteja e Nishit, më 1443, por ndodhej aty së paku prej vitit 1438?

Fjalia ngjan të bëjë pjesë në ngarkesën legjendare me të cilën Historia e Barletit është rënduar dhe prej të cilës nuk është e lehtë të shkarkohet. Në një disertim me titull Legjenda e Skënderbeut (1891) abati Pisani pati vërejtur: “Duke pranur se nuk është aspak e pamundur që Barleti të ketë qenë i vetmi frymëzues i të gjithë tregimeve të hartuara në vende latine, duke pranuar që Halkokondyli të mos paskësh gjetur në Bizant asnjë traditë të pavarur [mbi Skënderbeun] dhe të paskësh shkruar simbas Barletit, nuk mund të mëtohet që Barleti t’u paskësh furnizuar edhe osmanëve materialet për historitë e tyre.

Pikërisht te historianët osmanë duhet kërkuar konfirmimi ose shkatërrimi i legjendës së Skënderbeut” 3. Së paku prej fillimeve të shek. XX, burimet osmane nisën e u bënë të njohura falë kontributit të posaçëm të shkollës gjermane të osmanologjisë, nëpërmjet përkthimit, përmbledhjes dhe botimit të një vargu kronikash dhe historish nga autorë si Babinger 4, Geise 5 Taeschner 6 etj., prej vetë botimeve bashkëkohore turke, ndërsa sa i takon historisë së Skënderbeut edhe nëpërmjet botimit në shqipe të përmbledhjes Lufta shqiptaro-turke në shek. XV. Burime osmane (Tiranë 1968). Si do ta parashtroj, edhe sa i takon “kalesës enigmatike” të Barletit, lidhur me vitin 1438, prej këtyre burimeve mund të nxirren tanimë disa konfirmime.

Pohimi i kronikanit bizantin në shërbim të osmanëve, Laonik Halkokondyli 7, se sulltani ia kishte dhënë Skënderbeut zotërimin e t’et, mbas vdekjes së këtij, shfaqet edhe në kronikat dhe historitë osmane. Ashik Pashazadeja, bashkëkohës i ngjarjeve: “Një të pafeu me emrin Iskender, që ishte i biri i sundimtarit të arnavudëve, sulltani ia kishte dhënë atë vilajet si timar” 8. Hoxhë Saddedini, në Kurorë e historive: “Edhe padishahu i fuqishëm si Aleksandri i Madh e futi Iskenderin në radhët e shërbyesve të oborrit të lartë, të cilët kanë nderin të bëjnë shërbimet e zgjedhura. Ai u trajtua mirë nga ana e sulltanit. Kur i vdiq i ati, [sulltani] e bëri atë vali të atij vilajeti dhe i dha fronin e t’et” 9. Edhe Sollakzadeja, që duket se është mbështetur për këtë të dhënë, te paraardhësit: “Kur i vdiq i ati, [sulltani] e bëri vali të atij vilajeti duke i dhënë vëndin e t’et” 10. Edhe Mynexherimbashi: “I sipërpërmenduri Iskender, si gëzoi për njëfarë kohe atë fat të lumtur [të shërbimit në oborrin perandorak, A.P.], u emërua dhe u dërgua si sundimtar i viseve të Arnavudisë në vend të t’et, që kishte vdekur” 11.

Për një konfirmim të ndërsjelltë të kësaj situate, që rezulton prej burimeve osmane, duhet kujtuar që ky variant del edhe prej Historisë turke (1300-1514) të Donaldo da Lezze-s, që mbështetej gjithashtu në burime osmane 12. Por këtë variant e pohon edhe Rafael Volaterrani (1434-1516) në “Komentarët” e Gjeografisë së tij: “Mbas vdekjes së t’et dhe të vëllait më të madh Karagus, që ishte peng në Edrené, Murati i dorëzoi atij mbretërinë atërore” 13. Në Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të 1947-s, edhe Noli ka qenë i prirur ta pranojë këtë variant përkundër variantit të Barletit, që i dukej atij si një “melodramë e keqe” 14. Këtë variant duket ta ketë pranuar më 1967, qoftë pjesërisht, edhe Aleks Buda 15, duke llogaritur në mbështetje edhe dëshminë e një Giovanni Maria Angiolello (të regjistruar prej Radonicit) që kishte jetuar në oborrin e sulltanit dhe që pohon se posti në fjalë iu pat dhënë Skënderbeut nga Sulltani 16. Është fjala, pra, për një variant të mbështetur nga burime si lindore, ashtu edhe perëndimore.

Një mbështetje e përforcuar e këtij varianti gjendet te Regjistri i Sanxhakut Arvanid (Suret-i Defter-i Sancak-i Arvanid) transkriptuar dhe botuar nga historiografi bashkëkohor turk Halil Inalçik më 1954. Ky është regjistri i timareve të vitit 835 të hixhrit, që i përkon vitit 1431-1432, pra kohës kur e shumta e Arbërisë, e rënë në duar të osmanëve, ishte organizuar simbas regjimit të “timareve”. Regjistri në fjalë përmban timaret e vilajeteve të Arbërisë nga Gjirokastra në Akçahisar (Krujë). Të ardhurat e vilajetit të Krujës, simbas regjistrit, figurojnë në emër të subashit (guvernator ushtarak) Hazi-beg. Por për Timarin 314 shënohet: “Fshati Marmur [Mamuras, A.P.] me 17 shtëpi iu shtua të ardhurave të t’et të haxhi Zaganosit me shkresën e Iskender-begut, i biri i Juvanit [Kastriotit, A.P.]” 17.

Po ashtu në Timarin nr. 324 shënohet: “Me shkresë të kadiut të Krujës dhe të Iskander-beut fshati Suket [Sukëth, A.P.] iu shtua t’et të Zaganosit” 18. Edhe për Timarin 335 shënohet: “Edhe 9 fshatra me transferim nga Iskenderi i biri i Juvanit [Kastriotit, A.P.] iu shtuan nga vilajeti i Dhimitër Jonimës, ai timar u regjistrua në regjistrin Juvan-ili [trojet e Juvanit, t’et të Skënderbeut, A.P.], po të jetë nevoja të shihet aty” 19. Për më saktësi, nga regjistri në fjalë nuk del titulli apo funksioni që ka pasur në Krujë “Iskenderi i biri i Juvanit” në vitin 1431-1432, kur është bërë regjistrimi; por për historinë ka peshë fakti që ai ndodhej në atë kohë në Arnavudi/Arbëri si funksionar i lartë i sulltanit.

Mbështetur në burimet arkivore osmane, Inalçiku ka zbuluar edhe se rreth vitit 842 të hixhrit Skënderbeu ishte emëruar nga sulltani “subash i Akçahisarit” (Krujës) 20. Të vihet re që vitit 842 të hixhrit i takon viti 1438 i kalendarit tonë, pra viti i “kalesës enigmatike” të Barletit. Po simbas Inalçik-ut, detyra në fjalë i është hequr Skënderbeut më 144021(?); historiani turk nuk jep sqarime të mëtejshme se përse heqja e detyrës ka ndodhur.

Por “kalesa enigmatike” e Barletit, lidhur me vitin 1438, gjen konfirmim, po prej burmimeve osmane, edhe nga një anë tjetër. Ky konfirmim ka të bëjë me momentin historik të “ngritjes krye” të Skënderbeut kundër sulltanit. Kronikani Ashik Pashazadé, bashkëkohës në ngjarje, e ka shënuar kështu: “Mandej ai ngriti krye kundër sulltanit edhe u bllokoi rugët akënxhinjve që kishin mbërritur atje me Isa beun [Evrenozin]” 22. Këtë ngjarje Ashik Pashazadeja e ka vendosur në vitin 846 të hixhrit, që është dhënë me vitin 1442 të kalendarit tonë, por që mund të jetë një përllogaritje e gabuar kalendarike dhe të duhet qortuar me 1443-shin, pra vitin e betejës së Nishit. Edhe Neshriu e ka shënuar kështu: “I biri i sundimtarit të arnavudëve, i quajtur me emrin Iskender, i cili në të vërtetë kishte qenë iç-ogllan i padishahut dhe padishahu ia kishte dhënë atë vilajet si timar, ngriti krye kundër sulltanit, u arratis dhe vajti atje. Ai u vendos në atë vend, që ishte në të vërtetë timari i tij. Po ky bllokoi rrugët e akënxhinjve, që kishin mbërritur atje me Isa beun [Evrenozin]” 23.

Duke ndjekur, me sa shihet, Ashik Pashazadenë, edhe Neshriu e ka vendosur këtë ngjarje në vitin 846 të hixhrit, pra më 1442-1443. Në të njëjtin vit e ka dhënë atë edhe Kemal Pashazadeja, duke e vendosur shkëputjen e Skënderbeut nga sulltani në konteksti e aleancës së krishterë perëndimore: “Ai [Iskenderi] i dha hijeshi shpirtit kur ngjeu gishtin e tij tregues me mjaltët e fesë [islame] dhe, si iu ëmbëlsua goja nga ata mjaltë, gjeti në njëfarë mënyre rastin e përshtatshëm, u arratis te Frëngu dhe u bë femohues […] Kështu ai keqbërës u largua nga vendi i muslimanëve edhe vajti në tokët e të pafeve […] Me ndihmën e frëngjve ai aspiroi pozitën e sundimtarit, shpërtheu jashtë suazës së tij edhe shtriu dorën për të marrë tokët […] Ai vajti dhe me lehtësi hyri në vilajetin e t’et, i cili në vendin e arnavudëve njihet me emrin “nahija e ashpër e Juvanit”. Populli i vendit të atyre anëve iu nënshtrua. Në këtë mënyrë pushtoi vendin e sipërpërmendur edhe u bë mbreti i tij. Trutë e këtij kryengritësi u mbushën me erën e krenarisë” 24.

E thyejnë këtë informacion kronikanë dhe historinë të tjerë osmanë. Idrisi Bitlisiu, për shembull, e ka vendosur ekspeditën ndëshkimore të Isa bej Evrenozit në Arnavudi/Arbëri, ndonëse pa e lidhur këtë me Skënderbeun, në vitin 842 të hixhrit, pra më 143825 (?). Hoxha Sadeddin e ka dhënë kështu: “Kur ky lajm [i ngritjes krye të Iskenderit, A.P.] iu njoftua padishahut të lumtur, ai caktoi si komandant të ushtrisë Isa beun, të birin e Evrenozit […] në vitin 842 e dërgoi në vendin e arnavudëve. Kur kënxhinjtë hynë në vendin e arnavudëve dhe u shpërndanë duke rënë mbas plaçkës, Iskenderi u bllokoi atyre shtigjet edhe u mbylli rrugëdaljet si me një mur të fortë të Aleksandrit” 26. Të vihet re që viti 842 i hixhrit, i dhënë këtu nga kronikani, i përkon vitit 1438.

Çfarë do të thotë kjo ekspeditë e Isa bej Evrenozit
kundër Skënderbeut më 1438?

Ja edhe kronikani Sollakzadé: “Ishte natyrëkeq [Iskenderi], prandaj ia zuri sytë e mira. Kur ky lajm u mor vesh nga padishahu i lumtur, ai në vitin 842 dërgoi ushtri në vendin e arnavudëve, nën komandën e Isa beut, të birit të Evrenoz beut […] Kur hynë akënxhinjtë në vendin e arnavudëve, u shpërndanë andej-këndej duke rënë mbas grabitjes. Iskenderi u bllokoi grykat si me mur të Aleksandrit dhe synoi të shkatërronte ushtrinë islame” 27. Edhe këtu viti i ekspeditës së Isa bej Evrenozit kundër Skënderbeut del 842 i hixhrit, pra 1438. Mund të thuhet se Sollakzadeja është mbështetur, për këtë informacion, te Hoxha Sadeddin, por problemi rishfaqet edhe te Mynexherimbashi: “I sipërpërmenduri Iskender, si gëzoi për njëfarë kohe atë fat të lumtur, u emërua dhe u dërgua si sundimtar i viseve të Arnavudisë në vend të t’et, që kishte vdekur. Por, meqenëse ai më vonë tradhtoi dhe u shkaktoi dëme viseve kufitare, u caktua kundër tij Isa beu, i biri i Evrenozit […] Ai mbërriti, hyri në vilajetin e armikut dhe, në kohën kur po merrej me plaçkitje e grabitje, Iskenderi i mori krahët dhe ia mbylli shtigjet” 28. Edhe Mynexherimbashi e ka vendosur këtë ngjarje në vitin 842 të hixhrit, d.m.th. 1438.

Kemi, pra, një ekspeditë osmane kundër Skënderbeut, që udhëheq kryengritësit arbër, dhe një ndeshje të tij me trupat e Isa bej Evrenozit, që udhëheq ekspeditën kundër tij, para “dezertimit” së Skënderbeut nga beteja e Nishit më 1443. Kjo ka ndodhur, simbas kronikanëve osmanë, në vitin 842 të hixhrit, d.m.th. më 1438, çfarë përkon me “kalesën enigmatike” të Barletit: “I njëmijë e katërqind i dyzetenënti që nga lindja e Krishtit ishte viti, dhe i njëmbëdhjeti qysh kur Skënderbeu kishte vendosur sundimin e vet, në Idat e Majit [14 maj]”. Në mënyrë kërshërore përputhet kjo ngjarje me situatën që del prej një dokumenti venedikas, të lexuar dhe të përmbledhur nga Jorga, dhe që i përket vitit 143829 (?).

Në të Senati i Republikës vendoste t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së Ivan/Jovan Kastriotit, “gjithmonë mik i Republikës”, bërë me anë të një ambasadori të tij, që të shtriheshin edhe mbi bijtë e tij Stanish dhe Gjergj privilegjet që gëzonte ai vetë 30; njëkohësisht Senati pranonte kërkesën e tij që proveditori venedikas në zotërimet e Republikës, që kufizonin me të, t’i mbante “gjithnjë rrugët hapur”. Duket të jetë fjala, me sa kuptohet, për situatën e një rebelimi dhe/ose të një lidhjeje të re të Ivan/Jovan Kastriotit dhe dy bijve të tij me Republikën e Venedikut, pikërisht më 1438-n.

Ngjarja e 1438-s, nga ana tjetër, nuk duket t’i bjerë ndesh “dezertimit” të 1443-shit nga beteja e Nishit. Është një situatë e pakthjelluar deri në fund prej burimeve që historia ka për duarsh deri më sot, por gjithsesi merret vesh qartë që Skënderbeu të jetë “rebeluar” kundër sulltanit para vitit tradicional 1443. Nuk përjashtohet mundësia që, mbas kësaj ngjarjeje të 1438-s, Skënderbeu të jetë falur nga sulltani, si udhëheqës ushtarak i njohur dhe me rëndësi, dhe të jetë ngarkuar me shërbime në vende të tjera, përderisa në atë ndërkohë (1438-1443) prej burimeve osmane ai nuk shfaqet më në Arnavudi/Arbëri 31.

Sa i takon Barletit, mbetet atëherë të pranohet që ai të ketë qenë, për ngjarjet dhe datat e historisë së Skënderbeut, shumë më i informuar nga sa mund ta përfytyrojmë ne. Nëse e lexojmë në këtë mënyrë fjalinë e tij problematike, është e drejtë të mendohet se ai e ka ditur që Skënderbeu, në të vërtetë, para “dezertimit” më 1443 nga beteja e Nishit, kishte ngritur krye kundër sulltanit së paku edhe në vitin 1438. Ka ditur, pra, atë të vërtetë historike që sot mund të quhet e konfirmuar prej kronikanëve dhe historianëve osmanë. Që Barleti ta ketë kamufluar këtë të vërtetë, e cila vetëm sa i ka “shpëtuar” në “kalesën enigmatike”, kjo mund të ketë ndodhur prej disa shkaqesh. Nga njëra anë, teksti i tij duhet të ketë kaluar nëpër një censurë dhe/ose autocensurë të kuptueshme për kohën dhe vendin e shkrimit dhe botimit të Historisë së tij. Nga një anë tjetër, vetë të studiuarit dhe të shkruarit e historisë është një formë ideologjie.

(Specialisti i metodologjisë historiografike Moise Finlay e ka sqaruar që nuk është fjala, në këtë mes, për ideologjinë në kuptimin e saj doktrinor të Marx-it apo Mannheim-it, as në kuptimin familjar të legjitimimit dhe mbështetjes të një sistemi ose institucioni, por në kuptimin më të gjerë, “asnjanës”, si “një sistem idesh mbi dukuritë, posaçërisht ato të jetës sociale; mënyra e të menduarit karakteristike për një klasë ose një individ”.) Kështu edhe Barleti, në Historinë e tij, i është nënshktruar një forme të tillë ideologjie, që e ka detyruar të jetë përzgjedhës në të dhënat dhe i anshëm në interpretimin e tyre.

Në kohën tonë nuk janë veçse teknikat bashkëkohore të hulumtimit ato na lejojnë, nëpërmjet analizës së tekstit, ballafaqimit të teksteve, qoftë edhe “nivelit të dytë” të leximit, t’i afrohesh gjithnjë më shumë të vërtetës historike. Nëpërmjet një teknike të tillë, për shembull, pohimi i abatit Pisani më 1891 se “te historianët osmanë duhet kërkuar konfirmimi ose shkatërrimi i legjendës së Skënderbeut” 32, shndërrohet në një parim për këtë rast plotësisht funksional.

1. NOLI: George, 31.
2. “Millesimus his quadringentesimus quadrigesimus nonus a Christi Nativitate computabatur
anus, undecimus autem a tempore, quo Scanderbegus obtinuerat imperium, pridie idus Majas”.
BARLETIUS: Historia, IV, 112.
3. PISANI: La Légende, 193.
4. BABINGER: Die Geschichtsschreiber. Po ai: Die Frühosmanischen.
5. GEISER: Die altosmanischen.
6. TAESCHNER: Die altosmanische Chronik.
7. CHALCOCONDYLAS, V, 249.
8. Asik Pasazâde Tevârih-i âl-i ‘osman, III, 1124-125. Lufta, 68.
9. Sadeddin Tâc-üt-tevârih, I, 361. Lufta, 257-258.
10. Solakzâde tarihi,168. Lufta, 300.
11. Sahâtif-ül-ahbâr, 353. Lufta, 313-314.
12. Historia Turchesca, 15 etj.
13. “Extincto patre ac fratre Caragusio natu majore, qui erat obses apud Adrianopolim,
Amurathes ei regnum paternum tradidit”. VOLATERRANUS: Commentariorum, VIII, 188.
14. NOLI: George, 28-31.
15. BUDA: Noli, 27-29.
16. BUDA: Noli, 27.
17. INALÇIK: Defter-i, 130.
18. Po aty, 117.
19. Po aty, 120.
20. INALÇIK: Arnawutluk, 675.
21. Po aty.
22. Asik Pasazâde Tevârih-i âl-i ‘osman, III, 124. Lufta, 68.
23. TAESCHNER: Gihân-nümâ, 167. Lufta, 91.
24. Tevârih-i âl-i ‘osman, VII, 279. Lufta, 197-198.
25. Lufta, 149.
26. Sadeddin Tâc-üt Tevârih, 351. Lufta, 258.
27. Solakzâde tarihi, 168. Lufta, 300-301.
28. Sahâif-ül-ahbâr, III, 352. Lufta, 313-314.
29. JORGA: Notes, III, 33.
30. Po aty.
31. Hyrje, në Lufta, 16.
32. PISANI: La Légende, 193.

marrë nga Gazeta 55

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.