“100 vjet teatër në Shkodër”

Në kuadër të aktiviteteve që u zhvillohen me rastin e 90-vjetorit të Pavarësisë, në hollin e teatrit “Migjeni” u zhvillua paraqitja e librit “100 vjet teatër në Shkodër” (1879-1979) (Kujtime), të Andrea Skanjetit, Artist i Popullit, që vdiq 10 vjet më parë.

Andrea Skanjeti ishte njëri nga pionierët e regjizurës në teatrin shqiptar, autor dramash, komedish, melodramash, proze tregimtare, përkthyes në gjuhën shqipe i dramaturgëve të huaj etj. Libri është një paraqitje e lindjes dhe e zhvillimit të teatrit në qytetin e Shkodrës. I shkruar në formën e kujtimeve, bazuar në shënimet e kujdesshme të autorit, libri i risjell lexuesit të gjitha ngjarjet që lidhen me pjesët e vëna në skenë gjatë 100 vjetëve në Shkodër.

Libri mund të përcaktohet edhe si galeria e personazheve, pasi vë në dukje rolin e madh të artistëve amatorë dhe profesionistë gjatë 100 viteve. Një kujdes të madh autori i ka kushtuar shfaqjeve teatrale që kanë kaluar caqet e qytetit si realizimi i operës së parë shqiptare “Mrika”, veprimit muzikor “Dasma shkodrane”, shfaqjes së dramës “Nora e Kelmendit” etj. Një vend të rëndësishëm në libër zë edhe analiza e personazheve të krijuara nga artistët e njohur shkodranë si Adem Kastrati, Tinka Kurti, Roza Xhuxha, Bep Shiroka, Lec Shllaku etj.

Në paraqitjen e këtij libri mjaft emocione ngjallën diskutimet e dramaturgut të njohur shkodran Fadil Kraja. Aktorët Tinka Kurti, Roza Xhuxha dhe Bep Shiroka sollën në këtë takim vlerësime jo vetëm për punën e autorit dhe librin, por edhe për të gjithë brezat e artistëve që me punën e tyre ngritën teatrin shkodran në nivelin e teatrove më të dëgjuara të të gjithë trojeve shqiptare. Botimi i këtij libri u mundësua nga fondacioni “Fan Noli” dhe Bashkia e Shkodrës. Libri momentalisht është mjaft i kërkuar.

Marrë nga gazeta “Koha Ditore” (Mali i Zi)
Dërgoi për Shkoder.net…: K. Traboini

SHKRUAJ NJË KOMENT