Alfred Çapaliku (1952)

0
794

Alfred ÇapalikuMuzika e lëvizjes së njeriut

Shkodra është qyteti i muzikës dhe i poezisë, po dhe i shtegtimit të njeriut herë nga njëra te tjetra ose te të dyja bashkë. Poetët e Shkodrës janë dhe zbuluesit e muzikës së brendshme që kumbon si shiu i saj me vezullime yllësish deri sa arrijmë te argjendimi prej ditë e te këmbanat e arta.

“Shkodra, dashnorja e shekujve” – psherëtin Migjeni, djaloshi bodlerian, kurse Fishta gjëmon si ortekë nëpër dimra. Mjeda gdhend mermerin e panteonit qiellor e Shiroka bën elipse cicërimash të dallandysheve.
Shkodra e gëzimeve, e humorit të mençur, e rebelimeve qytetare, e pikturave, e operas së parë, e kardinalit, e mbretëreshës, e legjendës së qumështit të jetës, e kështjellës së përjetësisë.

Ndërsa poeti Frederik Reshpja sjell trishtim muzgjesh të praruar me hënë, nëse do të shfletojmë një nga librat e fundit të botuar në Shkodër, “Muzikë në lëvizje” e Alfred Çapalikut, do të gjejmë shqetësime të sotme, drithërimë ikjeje, ndarje, rritje, mall, përmbajtje dhe dëshirë.

Alfred Çapaliku ka një jetë të tërë që merret me poezi dhe jeta ka hyrë në poezinë e tij. Hallin e përditshëm, gëzimin, që ndoshta është i përditshëm, përsiatjen, që qoftë e përditshme, poeti i sublimon në emocionin që e mbart vetëm fjala poetike. Brenga e ikjes në një të panjohur, që edhe kur ka emra, prapë e panjohur mbetet, rritja e jetës dhe e bregës së saj Shkodra, shiu proverbial, drita e hënës mbi dallgët e Drinit (i Bardhë dhe i Zi si fati), rrugët dhe rrugicat, bota përtej, metropolet, etj. etj., janë materja që futen pa vështirësi edhe në një libër të hollë.

Alfred Çapaliku duket që e ndjek poezinë bashkëkohore të kolegëve të vet, por dhe atë të botës dhe shkruan si ata e si vetja, përvoja e të gjithëve bëhet dhe përvojë e jotja dhe përvoja jote bëhet e të gjithëve.
Duke botuar relativisht pak, Alfred Çapaliku shpalos sqimën dhe adhurimin për poezinë si një lartësi eterne dhe beson se bukuria është dhe te e thjeshta, e madhërishmja është dhe e zakonshmja, poezia është dhe te jopoezia dhe jopoezinë ta bëjmë poezi duke e praruar me ditën e syve të poetëve dhe të lexuesve. Sepse, siç thotë një shkrimtar i shquar, nëse e perifrazojmë atë: “Jo të jetojmë për poezinë, por të jetojmë me poezinë”.

Visar Zhiti, Rilindja Demokratike

Muzikë në lëvizje

Çiftet përqafuar në shkallaret e shesheve,
Si akrepat e orës në çast të tingëllimit,
Nëse një ditë ndahen, nëse një natë s’shihen?

Bëhen fotografë të verbër në qytet,
S’mbështeten asnjëherë mbi shkopin e urrejtjes,
Armiq të mirë mbesin.

Muzikë në lëvizje është puthja pa u fshehur.

Caku

Të vdekurve u veshin këpucë të reja,
Se duhet të shkelin në udhë pa krye,
Mirazh shkretëtire në rendje pa fund,
Pa semaforë e vija të bardha e shtylla,
Pa policë trafiku e manekinë mode,
Pa kalimtarë në sens të kundërt si duna,
Për gjetjen e orës, adresës së saktë.
Mbi kalldrëme shtruar me gurë sizifi
Trokasin shojet e ngrëna si patkoj kuajsh,
Ciasin gomat si në përplasje veturash,
Thyhet njëqind copash pasqyra e lustrës.

O sa këpucë të reja u shitën sivjet!

Ata shqiptojnë një fjalë ndërkombëtare,
Non stop-in rraskapitës me theks modern,
Në maloren si thikë, pa ndalesa biblike,
Pa pemë, pa zogj lajmëtarë si dekor,

Poshtë lart majtas djathtas para mbrapa – qiell,
Me engjëj merramendës, me djaj rrëshqitës,
Sipas rregullave të qarkullimit të Dantes.
Shohin dyzimin e tyre mbi pluhur këpucësh
Që tingëllojnë si një kor antik në boshllëk,
Gjersa lëkura çahet, këmba rri zbathur.
I largët është caku të mbërrihet tek Zoti,
Me labirinthin e shpresës vetvetiu hapur.

Qiej mermeri

Qiej mermeri
pa peshë,
dallëndyshe kundër rrymës
pa mbërritje,

Pleq ripërtypës kujtimesh
pa tym,
Aerobi pemësh bri rrugëve
pa erë.

E bardha bëhet e kaltër,
E zeza mbetet pa bojë.
Zaret janë hedhur,
Jeta është lojë

Pikat e shiut, lotë virgjëreshe,
Prishen në shtratin e lumit,
Avullojnë të mistershme,
Si britma pa dënesë.

E bardha ngjyhet me të kuqe,
E zeza ndërron bojë.
Në kurthin e ditës,
Jeta është lojë.

Djemtë e rrugicës dhe plaku

Ku janë djemtë e rrugicës së vjetër?
Pyesin rrugët dhe lagjet fqinje.
Ku është zhurma e lodrave të verës?
Në pluhur vetëm gjurmët e tyre.

Të bukurit dhe të mirët djemtë,
Të shkathtit, të pandalshmit ku ikën?
Një zë, nga pragu i ngurtë i derës,
Njërëzve u thirri: – Djemtë u rritën!

Lule vilet vareshin mbi derë
Dhe e ndritnin plakun si fererë.

– Secili djalë braktis murishtën,
Të gjejë të panjohurën e vet,
O njerëz të mirë, pas shumë vitesh
Rrugica do të krenohet me djemtë.

Shpejt erdhi rritja e djemve,
Do të vijnë të na shohin përsëri
Dhe do të sjellin me vete,
Vajzat që kanë marrë me dashuri!

Plaku. Lule vilet mbi derë.
Në zemrat e njerëzve, djemtë.

Lirikë intime

Eja, mbështetemi te pema
Në vetminë e saj prej druri,
Te stoli të ulemi, eja
Në vetminë e tij prej guri.

Nën të njëjtin yll jemi ndeshur
A mund të rrimë pra të ndarë,
Si stoli me trungun e heshtur
Mbjellë shumë vite më parë?

Në flakë vetëtime pashë
Ovalen dridhëse të buzëve
Dhe si një magji poshtë saj,
Gjithçka që në jetë më duhej.

Pastaj gjëmimin, unë ndjeva
Rininë tënde të përkulej,
Në çast u hepova si dega
Dhe gjeta gjithçka që më duhej.

Simbiozë

Dy gjysma jete nuk bëjnë një jetë,
As pjesëtuar nën kryqin e dhimbjes,
As shumëzuar në iksin e shpresës,
Të mbledhura me vetveten e mjerë,
Të zbritura nga maja rrokaqiejsh.
Njeriu ngjyron si pylli në vjeshtë,
Dy gjysma jete nuk bëjnë një jetë.

Karnavalet

Ditën e karnavaleve të botës
Maska gjithëfarësh, nën ritëm prej shiu,
Luajnë kuplete me fund gazmor,
Kafshë imitojnë, insekte xhunglash,
Asimetrikisht bëjnë pirueta,
Për të harrur maskat e vërteta.

Njerëzit e gurit

Burrat e kohës së gurit s’ishin të ngurtë,
Vidheshin me gjethe, u lulëzonin brinjët,
Zbutnin gjithandej gratë e egra,
Shpiknin vegla pune me majë, rrumbullak,
Nuk njihin sistem numërimi për fëmijët,
Shpellat i thellonin me britma pasioni,
Përjetonin vdekjen sipas tyre
Dhe sosnin në skulptura naive.

Takim me Vinçens Prennushin

— In memoriam

“Un jam i Zotit! Qiellin a mund ma pritsh?”
Gegnishtja e ndalun jehonte ilirisht
Dhe kumti flatroi mes yjesh pa u fikun,
Mbas çastit vdektare sa shpejt kishte rilindun.

Të vinte era lule, i veshun me gjeth,
Shejtnisht përmbi krye të shndriste nji rreth,
Në kohën e amshimit nuk ishe dikushi,
Por ambëlsia vetë, Poeti Prennushi.

Stina e gëzuar

Si frynin erërat e stinës ashtu mbrëmë,
Sikur pranvera jepte koncert me tre violinistët
e muajve të saj,
Në sheshet e rrugëve dhe periferitë.

Si endeshin të dashurit nën ombrellat gazmore,
Dy nga dy
Dhe shpërndaheshin mes blerimit nën ritmin
e shiut.

Të gjitha këto ndodhën mbrëmë,
Kur të prisja ndanë një BAR-i
Dhe emrin ta gdhendja në avujt e xhamit.

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT