Aleksandër Gera (1926-2001)

0
3331

Punoi si mësues dhe në sektorin e kulturës dhe si bibliotekar në bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës. I njohur si poet dhe hartues këngësh. Aleksandri botoi dhe në të njëjtën kohë shkruante poezi disidente. Nga botimet po përmendim: “Lugina e qetë”, “Gjurmë të kohës”, “Kangë e zbritun nga malet”, “Nora e Hotit”, “Kangëagimesh”, etj.

Më vjen mbarë këtu të botoj një fragment të një interviste që ia pata marrë në vitin 1992, kur, mbas përmbysjes së diktaturës, punova si redaktor në gazetën “Shkodra”, (e para gazetë demokratike lokale, që u botua mbas rënies së komunizmit) dhe që atëherë mbeti pa u botuar.

“Shkodra” – Ju, Sandër, keni shkrue tekste kangësh së paku tash 47 vjet. Ato janë muzikue nga Prenkë Jakova, Tish Daija, Tonin Harapi, Kolë Gjinaj, Mark Kaftalli, etj. dhe dikur janë këndue nga bylbylat e Shkodrës Pjetër Gjergji, Gac Çuni (i vdekun mizorisht në burgun e Burrelit), etj. Po, a vetëm tekste kangësh?

S. Gera – Po nuk e fillove me kangë jetën, me çfarë tjetër do ta fillosh? Ato kangë qenë limonadat e para në sofrën e madhnueshme të poezisë. Në Shkodër, po nuk e fillove me shtregullat klasike e baritoret e maleve, më thotë mendja se asht zor me këndue.

– E pastaj filloi poezia ?

– Atëherë kanë fillue “Sonatat e Kain Abelit”. Kam ulë kokën ndër “Epitafe te Zalli i Kirit”, jam freskue në “Pika shiu në tokën e rreshkun”, jam endë në soditje te “Bukuria e gjarpnit” (nji roman në vargje), dhe megjithatë kam qenë “Alastor flatërdjegun” e nuk po përmend libra të tjerë që kam botue nën duertrokitjet e realizmit socialist, të cilët i ka shfrye zemra me gojë të mbyllun. Mos u çudit, po legjenda e Sizifit më ka kapë edhe mue, si mallkim, qysh në vitin 1945 dhe qysh prej asaj kohe: kam qeshë, kam lotue, kam mallkue, kam shpresue, tue bartë gurët në shpinë. Kam nynykatë gojëmbyllun “Sonatat e Kain Abelit”, si të gjithë, i heshtun mbrenda Aeropagut të shemtuet, e tue i lidhë të gjitha shfrimet e mia poetike në fillin e Arianës, e cila, them të drejtën, më ka dashunue dhe po më nxjerr nga labirinti për të puthë pa frikë flijimin e Rozafës sonë.

– Ma së fundi, i the të gjitha, po të uroj që Sonatat gati gjysmëshekullore të dalin në dritë e të këndohen pa ia pasë frikën asnjë Minotauri.”

Një cikël poezish nga “Kangët e nëndheshme” të Gerës, kam botuar në “Dielli”, në nr. 2 të vitit 1994.

Sandri vdiq në vitin 2001, mbasi botoi “Via Lucis”, që si duket e shkroi mbas përmbysjes së diktaturës. Ai nuk arriti të botojë asnjërin prej titujve që kemi përmendur më lart, në intervistën e tij, e që ai i quante me një titull të përgjithshëm “Kangët e nëndheshme”. Dy poezi që më dërgoi kohët e fundit, nga Italia, e bija, Paola Gera, janë nxjerrë nga përmbledhja e titullueme “Gufime kangësh të theruna”. Dorëshkrimet gjinden pranë së bijës, Paola Gera (në Itali).

Kritika letrare e ka vlerësuar poezinë e Gerës. “Tradicionalja me vazhdimësinë e saj ma përfaqësuese dhe modernia me praninë mbizotnuese si strukturim bazë poetik dhe në ndërsjellje figurative transmetojnë forcën domethanëse të poezisë së Sandër Gerës” shkruan në kopërtinën e brenshme të “Via Lucis”, kritiku Hasan Lekaj. “Poezia e Gerës shëmbëllen me një produkt të harmonisë mes traditës dhe modernitetit, në poezinë tonë. Me siguri që në rendin ekzistues të monumenteve të poezisë shqipe, ajo do të afirmojë vokacionin e saj autentik, tue i imponue këtij rendi ndryshime cilësore estetike, të tilla ndryshime që imponuen, me botimin e tyre, poezia e Camajt dhe e Zorbës”, shkruan po aty kritiku Arben Prendi.

— pjesë nga shkrimi i Anton Çefës: “Disidencë fisnike dhe politizim çoroditës në letërsinë tonë” botuar ne gazetën “Dielli” – Vatra, Nju Jork, 2005

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.